Një person është ndaluar për 48 orë në Skenderaj, pasi dyshohet se ka kanosur me armë një person tjetër pas një mosmarrëveshjeje në një lokal.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 27 qershor, rreth orës 18:30, në fshatin Likovc të Skenderajt.
Viktima ka raportuar në Polici se derisa ndodhej në një lokal, i dyshuari, ish-vjehrri i vajzës së tij, dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Sipas deklarimit të viktimës, gjatë mosmarrëveshjes i dyshuari kishte ekspozuar një armë të shkurtër.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku dyshohet se ka pranuar se kishte poseduar një armë të shkurtër të llojit TT.
Pas intervistimit, njësitet policore kanë shkuar në shtëpinë e tij, ku kanë konfiskuar armën TT dhe një karikator me shtatë fishekë.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka deklaruar se edhe viktima kishte pasur armë me vete, por pas bastisjes në shtëpinë e viktimës nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Kanosje”.








