Ministria e Sveçlës pagoi 89 mijë euro për veturë të vitit 2023 në vend të asaj të vitit 2024 edhe motori ishte më i vogël se kërkohej në tender

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka pranuar një automjet që nuk ishte në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë.

Sipas raportit të auditimit, bëhet fjalë për kontratën “Furnizim me xhipa dhe kombibus”, në vlerë prej 89 mijë e 900 euro, ku automjeti i dorëzuar dhe i pranuar nga MPB-ja kishte disa mospërputhje me kërkesat e dosjes së tenderit.

Auditorët kanë konstatuar se në dokumentacion ishte kërkuar që automjeti të ishte i prodhuar në vitin 2024, ndërsa ministria ka pranuar një automjet të prodhuar në vitin 2023.

Përveç vitit të prodhimit, automjeti nuk i plotësonte as disa nga specifikimet teknike të detyrueshme. Në tender ishte kërkuar që gjatësia e automjetit të ishte nga 5,990 deri në 6,000 milimetra, ndërsa automjeti i pranuar kishte gjatësi 5,981 milimetra. Edhe lartësia nuk ishte në përputhje me kërkesat, pasi ishte kërkuar 2,790 deri në 2,800 milimetra, ndërsa automjeti i dorëzuar ishte 2,786 milimetra.

Një tjetër devijim lidhej me motorin. Sipas tenderit, automjeti duhej të kishte motor me vëllim prej 2.2 deri në 3.0 litra, por MPB pranoi një automjet me motor 2.0 litra.

ZKA vlerëson se kjo situatë ka ardhur si rezultat i verifikimit të pamjaftueshëm të specifikimeve teknike, si gjatë fazës së planifikimit dhe përgatitjes së dosjes së tenderit, ashtu edhe gjatë procesit të vlerësimit dhe pranimit të automjetit.

Në raport theksohet se vetë arsyetimi i dhënë nga autoriteti, se automjeti nuk prodhohet më me motor 2.2 deri në 3.0 litra, dëshmon se kërkesat teknike nuk ishin analizuar paraprakisht për të parë nëse ishin të realizueshme dhe nëse produkte të tilla ishin të disponueshme në treg.

Sipas auditorëve, pranimi i një automjeti që nuk përmbush specifikimet kontraktuale rrit rrezikun që shteti të mos ketë marrë vlerën e plotë për paranë e shpenzuar. Po ashtu, një veprim i tillë mund të ndikojë në trajtimin e pabarabartë të operatorëve ekonomikë dhe të dobësojë kontrollin mbi zbatimin e kontratës.

Për këtë gjetje, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar ministrit të Punëve të Brendshme që të sigurojë, përmes komisioneve përgjegjëse, se pranimi i automjeteve dhe mallrave të tjera bëhet vetëm në përputhje me specifikimet teknike dhe kushtet kontraktuale. Auditimi kërkon gjithashtu që çdo devijim të dokumentohet, ndërsa specifikimet teknike të analizohen që në fazën e planifikimit, në mënyrë që të jenë të zbatueshme dhe produktet e kërkuara të jenë realisht të disponueshme në treg.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit