Ish-eprori dhe luftëtari i UÇK-së dhe TMK-së, Naim Miftari, ka reaguar ndaj sulmeve dhe komenteve që, sipas tij, po bëhen ndaj familjes Jashari dhe veçanërisht ndaj Rifat Jasharit.
Përmes një postimi publik, Miftari ka thënë se ata që dikur e akuzonin familjen e Adem Jasharit si bashkëpunëtore të strukturave serbe, sot po paraqiten si mbrojtës të saj, duke i cilësuar këto reagime si “lot krokodili”.
Ai ka vlerësuar se familja Jashari gëzon respekt të gjerë në mesin e shqiptarëve, ndërsa ka akuzuar persona të lidhur me interesa politike dhe oligarkike se po përdorin profile të rreme dhe lajme të pavërteta për të krijuar përçarje dhe tensione në opinionin publik.
Postim i plotë:
Ata që e akuzonin dikur familjen e Adem Jasharit si bashkëpunëtore të Milicisë dhe UDB-së serbe, sot të njëjtit po tentojnë t’ia luajnë rolin e avokatit, qesin lot krokodili kinse për këtë familje të shenjtë!
Familjen dhe Rifat Jasharin s’ka shqiptar që mund ta shajë, as nuk e shajnë votuesit e asnjërës parti, por po e shajnë mercenarët dhe pordhatalet e oligarkëve që kanë humbur pushtetin dhe tani, me profile të rrejshme, prodhojnë lajme të rrejshme për ta rritur tirazhin e tyre dhe për ta bërë opinionin armik të LVV-së.
Historia e dëshmorëve, e UÇK-së, e familjes Jashari, Haradinaj, Pajaziti, Lladrovci… nuk mund të shahet e as nuk mund të ndyhet. Me gjithë tentimet që bëjnë sot zagarët e korrupsionit dhe nipat e kumbarët e Serbisë, kjo nuk shitet. Një histori e shkruar me gjak nuk zbehet e as nuk ndyhet nga askush. Është e kotë.
Me fyerje e etiketime duhet të merret policia dhe gjykata, e jo portalet e korrupsionit, ish-pushtetarëve dhe oligarkëve të tyre, që sot tentojnë të shesin mjegull. Deri aty shkon paturpësia e tyre sa tentojnë të fillojnë edhe vëllavrasjet, deri te lufta qytetare në Kosovë!
Naim Miftari, ish-epror e luftëtar i UÇK-së dhe TMK-së.








