Brukseli zyrtar ka dhënë sinjale të qarta pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Qeveria e Kosovës kanë iniciuar hartimin e një Ligji të ri për Gjykatën Speciale në Hagë.
Bashkimi Evropian po e përcjell me vëmendje këtë nismë, e cila synon të mbështetet në tekstin e ligjit që u miratua në dy lexime gjatë muajit tetor. Në një reagim për Gazetën, një zëdhënës i BE-së ka bërë të ditur se Brukseli pret që të përfshihet në konsultime para se të ndërmerret çfarëdo hapi që prek legjislacionin e Dhomave të Specializuara.
Duke rikujtuar se kjo gjykatë është krijuar me vendim të Kuvendit dhe është e sanksionuar me Kushtetutë, zyrtari evropian ka kërkuar që puna e saj të mos cenohet.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së.
Në këtë kontekst, Brukseli ka sjellë në vëmendje edhe zotimet e marra përmes shkëmbimit të letrave në vitin 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, duke nënvizuar nevojën e bashkërendimit institucional.
“Ne presim që të konsultohemi për çdo iniciativë të re që ndryshon legjislacionin”, thuhet më tej në përgjigjen e tij.
Në fund, nga Bashkimi Evropian është ripërsëritur se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore — me theks të veçantë te të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve — mbeten prioritet absolut që nuk duhet të vihet në pikëpyetje.









