Legjenda e futbollit gjerman Felix Magath ka vizituar Kosovën.
Lajmi bëhet i ditur nga klubi i futbollit Prishtina e Re.
“Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në ambientet e KF Prishtina e Re një emër të madh të futbollit evropian, z. Felix Magath.
Gjatë vizitës, Magath u njoh nga afër me kampin stërvitor dhe ambientet e klubit, si dhe realizoi një takim me presidentin e klubit tonë, z. Rrustem Pacolli, nënkryetarin e klubit z. Driton Gërxhaliu si dhe drejtorin gjeneral z. Sami Boroci.
Gjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunime në të ardhmen, veçanërisht për projekte që do të kontribuonin në zhvillimin dhe krijimin e mundësive të reja për talentet e Akademisë së KF Prishtina e Re.
Vizita e tij në Kosovë u mundësua nga afaristi kosovar Isak Neziri.
Për ne ishte kënaqësi e veçantë të kalonim kohë dhe të shkëmbenim biseda rreth futbollit me një personalitet që ka lënë gjurmë të mëdha në këtë sport.
Faleminderit për vizitën, z. Felix. Ishte kënaqësi të ju kishim mes nesh!”, thuhet nga KF Prishtina e Re.








