Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për vepra penale të korrupsionit dhe mashtrimit në procedurat e prokurimit publik, pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Gazeta merr vesh ekskluzivisht se bëhet fjalë për: Dashnor Ndrecaj.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë udhëhequr nga Sektori për Hetime Financiare dhe kanë çuar në zhvillimin e kontrollit të autorizuar në disa lokacione, më datë 15.09.2025. Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera materiale që dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë e kundërligjshme.
Policia njoftoi se në njërin nga lokacionet është gjetur edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është inicuar një rast i veçantë dhe është angazhuar njësia përkatëse.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës thekson se, në koordinim me organet e drejtësisë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore deri në zbardhjen e plotë të rastit.









