Kryeministri Albin Kurti ka dalë në konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit që zhvilluan sot në Prishtinë.
Kurti e falënderoi Von der Leyen për, siç tha, mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa foli për zhvillimet në vend dhe raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Ai deklaroi se Kosova, sipas tij, ka shënuar përparim në disa fusha që nga vizita e fundit e presidentes së Komisionit Evropian.
“Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, tek ne ka demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, dhe po ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në një vit”, u shpreh Kurti.
Kryeministri foli edhe për orientimin evropian të Kosovës, duke thënë se vendi është në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne i mbrojmë vlerat e Nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian, dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë”, tha Kurti.
Gjatë takimit me Von der Leyen, Kurti tha se kishte kërkuar edhe hapa të tjerë në procesin e integrimit evropian.
“I kërkova edhe integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit”, tha kryeministri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Transit të Përbashkët.








