Kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë për media pas seancës që u ndërpre për shkak të mospropozimit të një emri dhe gjuajtjes me vezë në drejtim të tij.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës përfundon vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Kurti ka deklaruar se përbërja e nënkryetarëve duhet të përfshijë përfaqësues nga partitë kryesore dhe komunitetet, ndërsa ka bërë thirrje për marrëveshje mes subjekteve politike.
Ai ka thënë se çështjet e tjera janë më pak të rëndësishme në krahasim me nevojën për një marrëveshje politike.
“Për mua, të gjitha çështjet janë të dorës së dytë ose të tretë, krahasuar me marrëveshjen që na duhet. Prandaj, edhe nëse bëhen aksione të tilla kundrejt meje, unë nuk jam këtu për veten time. Unë jam këtu për Republikën e Kosovës. Dhe kërkoj që edhe të tjerët të ulemi bashkë dhe për Republikën e Kosovës të bëjmë marrëveshje.”
Duke komentuar hedhjen e vezëve ndaj tij, Kurti ka thënë se është i gatshëm ta paguajë edhe këtë “çmim”, nëse kjo do të çojë në dialog mes partive politike.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputet është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të bisedojnë bashkë e të dialogojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim. Vetëm le të vijnë në takim. Vetëm le të ulemi e le të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, ka shtuar Kurti.








