Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara është shtyrë deri në një njoftim të radhës.
Kjo ka ndodhur pas një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, para fillimit të seancës.
Pas takimit, Çitaku bëri të ditur se palët kanë arritur pajtim për përmbajtjen e ligjit por mospajtimet vazhdojnë sa i përket procedurës së miratimit të tij.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka kritikuar partitë politike lidhur me shtyrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritej të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara.
Gucati e ka cilësuar situatën si lojë politike.
“Kjo është një lojë politike që janë duke e luajtur Albini dhe partitë e tjera. Jo këtë javë, jo në atë javë, kinse po e thërrasin seancën për këtë ligj”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet Ligji për Specialen.
“Me Ligjin për Specialen po luhet me të”, ka thënë Gucati.
Gucati ka folur lidhur me mundësinë e organizimit të një proteste.
Ai ka thënë se e shohin si mundësi organizimin e protestave pas zvarritjes së Ligjit për Specialen.
“Pas zvarritjes se Ligjit për Specialen do të protestojmë, nëse nuk ka ndryshime”, u shpreh Gucati.









