Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur kritika ndaj projektbuxhetit, duke e cilësuar atë si dokument që përmban vetëm llogaritje financiare dhe jo një strategji konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë debatit në Kuvend, Hoti ka kundërshtuar edhe mënyrën se si ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka përshkruar rritjen ekonomike, duke përdorur termin “rritje organike”.
Sipas Hotit, ky formulim krijon përshtypjen se rritja ekonomike ka ndodhur natyrshëm, pa ndonjë ndikim apo kontribut nga politikat qeveritare.
Ai ka kërkuar nga ministri të sqarojë se çfarë nënkupton me këtë term.
“Më bëri përshtypje deklarimi i ministrit në veçanti, që e cilëson rritjen ekonomike si rritje organike. Që nuk ka asgjë të keqe, por çka nënkupton rritja organike? I bie që unë s’kam pasur kurrfarë roli në këtë punë, vetvetiu është rritur ekonomia. Kështu nënkupton kjo punë. Rritje organike nënkupton rritje e natyrshme, ku ti s’ke rol fare”, ka deklaruar Hoti.
Gjatë fjalës së tij, Hoti ka pasur edhe një përplasje verbale me ministrin Murati, të cilin e ka kritikuar për ndërhyrje derisa ai po fliste nga foltorja e Kuvendit.
“ Të lus mos me fol prapa derisa e kam fjalën, ministër, disiplinohu pak të lutem”, i është drejtuar Hoti ministrit.
Në vazhdim të diskutimit, deputeti opozitar ka vënë në pikëpyetje edhe përmbajtjen e projektbuxhetit, duke thënë se dokumenti nuk tregon se cilat janë synimet konkrete që Qeveria pretendon t’i arrijë përmes ndarjes së mjeteve publike.
Sipas tij, buxheti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik dhe jo të kufizohet vetëm në paraqitjen e shifrave dhe ndarjeve financiare.
“E keni bërë këtë buxhet jo plan strategjik, por plan kontabël. Buxheti nuk është plan kontabël, por plani strategjik që orienton kah do të shkojë ekonomia”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se as pjesa tekstuale dhe as të dhënat financiare të projektbuxhetit nuk japin shpjegime të mjaftueshme për arsyetimin e shpërndarjes së parave dhe rezultatet që synohet të arrihen.
“Nëse e shihni me kujdes edhe shifrat edhe pjesën tekstuale, nuk gjeni përgjigje pse bëhet kjo shpërndarje e buxhetit, pra cilat janë objektivat që duam t’i arrijmë?”, ka deklaruar Hoti.









