Kurti kërkon bisedime për president, opozita insiston në konstituimin e Kuvendit

Kosova po e mbyll edhe këtë të premte pa një marrëveshje politike për zhbllokimin e situatës, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta se cili duhet të jetë hapi i parë. Derisa Albin Kurti po kërkon që të nisë diskutimi për zgjedhjen e një presidenti konsensual, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca insistojnë që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përsëritur nga Vushtrria kërkesën ndaj partive të tjera shqiptare për të gjetur bashkërisht një figurë unifikuese për president.

Kurti ka thënë se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së, e cila mbrëmë bëri të qartë se do të qëndrojë në opozitë, por se është e gatshme të diskutojë për një emër konsensual për kreun e shtetit.

Kurti ka folur gjithashtu për detaje nga diskutimet e zhvilluara me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ofertën për bashkëqeverisje.

Në anën tjetër, PDK-ja dhe Aleanca, të cilat prej kohësh kanë refuzuar kërkesat e LVV-së për bashkëpunim, kanë thënë nga holli i Kuvendit se, pa e kthyer procesin e formimit të institucioneve në binarët kushtetues, Kurti nuk ka kredibilitet të hapë tema madhore shtetërore.

Pak para këtyre deklarimeve, deputetët e PDK-së dhe Aleancës u paraqitën në sallën plenare, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, edhe pse kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për vazhdimin e seancës së ndërprerë më 6 gusht.

Nga salla plenare, ata kërkuan vazhdimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e Kuvendit.

Më pas, në një takim të grupit parlamentar në Kuvend u mblodhën edhe deputetët e LDK-së.

Jehona Lushaku-Sadriu tha se partia e saj e ka bërë të qartë qëndrimin dhe se tani pret fillimisht konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, e më pas zhvillimin e një procesi për gjetjen e një kandidati konsensual për president.

Me seancën e 6 gushtit, e cila mbeti e papërfunduar dhe pa një datë të re për vazhdimin e saj, zgjidhja e krizës institucionale vazhdon të mos ketë një afat të qartë kohor.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit