Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se ende nuk është arritur një marrëveshje politike pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbetet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.
“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim sikurse ato të mëhershmet do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.
“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish tek problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të shpjerë të pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti pas takimit me Abdixhikun.








