Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit pasdite me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun.
Kurti ka thënë se kanë diskutuar për kriteret dhe cilësitë e presidentit të ri, por pa treguar nëse ka ndonjë marrëveshje me Abdixhikun.
“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit të ri, nga shumë kënde dhe në disa rrafshe. Por, në veçanti, sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesionet e caktuara. Është vendim tejet i rëndësishëm, është proces shumë i ndjeshëm, andaj edhe pas këtij takimi kemi nevojë që të kthehemi te subjektet tona politike, ne te LVV-ja dhe delegacioni tjetër tek LDK-ja, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultime të brendshme dhe të ri-takohemi ashtu që të merremi vesh. Besoj që mirëbesimi që kemi, në njërën anë, dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjnë optimistë”, deklaroi ai.
“Tash e keni parasysh që Republika e Kosovës funksionon me presidenten në detyrë, qeveri në detyrë, por edhe me deputetë që kanë dhënë betimin por së shpejti do duhej që ta kishin shtëpinë e tyre, përkatësisht Kuvendin e Republikës. Kjo nuk do të jetë e qëndrueshme pa marrëveshje për presidentin”, tha më tej Kurti.








