Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për deputet, Ramush Haradinaj, ka thyer heshtjen duke reaguar zyrtarisht pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ, ku partia e tij shënoi rritje në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Përmes një mesazhi të gjatë drejtuar qytetarëve dhe diasporës, Haradinaj ka shprehur mirënjohje të thellë për ata që i besuan vizionit të tyre, duke theksuar se votuesit e AAK-së arritën t’i rezistojnë fushatave të egra kundër partisë së tij.
“Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin! Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar… Për ju që nuk ratë pre e propagandës dhe luftës hibride kundër nesh”, ka shkruar lideri i AAK-së.
Haradinaj ka vlerësuar lart listën zgjedhore dhe veçanërisht kandidatin për kryeministër nga ky subjekt, duke thënë se kjo garë ishte një mirënjohje për listën e shkëlqyer “së cilës kësaj radhe me shumë sukses i priu Ardian Gjini”.
“Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara”.
“E kuptoj lodhjen tuaj nga zgjedhjet e përsëritura, prandaj vota për ne këtë herë ka vlerë të shumëfishtë. Është mirënjohje për çka kemi bërë dhe për ku jemi nisur. Është mirënjohje për listën tonë të shkëlqyer, së cilës kësaj radhe me shumë sukses i priu Ardian Gjini“.
Ai ka garantuar se AAK-ja do të mbetet e fokusuar dhe e vendosur për të mbrojtur interesat e shtetit, ndërsa ka uruar institucionet për mbarëvajtjen e procesit, duke shpërndarë shpresën se këto zgjedhje kanë qenë plotësisht të lira, të ndershme dhe demokratike.










