Kryeministri Kurti vizitoi familjen Bunjaku dhe bëri homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies së tij


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtues të institucioneve të sigurisë e deputetë të Kuvendit, vizitoi sot familjen Bunjaku, për të vazhduar pastaj bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimin, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe me familjarë të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, për homazhe te varri tij, në dyvjetorin e rënies në Basnjkë të Zveçanit.

Duke kujtuar rënien heroike të rreshterit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti tha se ishte një rënie, e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, sepse kemi të bëjmë me një shtet, i cili i del zot vetvetes dhe, i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit.

“Tash, të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë, që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radojçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksander Vuçiq.

“Aktakuza i përfshinë 45 persona. Këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre. Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se një ditë si kjo para dy vitesh që filloi si jashtëzakonisht e rëndë, por edhe e dhimbshme, përfundoi ndër më krenaret në historinë e Republikës së Kosovës.

“Lavdi Afrim Bunjakut! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Republikës së Kosovës, e mirënjohje pafund për të gjithë ata që sollën që kjo ditë me të vërtetë të mbetet ditë e shënuar ku integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës veçse u forcuan”,  tha ministri Sveçla.

Në këtë përvjetor, sot nga ora15:00, në Prishtinë do të organizohet akademi përkujtimore në nderim dhe kujtim të heroit Afrim Bunjaku. 

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Bashkë me kolegë nga Qeveria e Republikës dhe Kuvendi i Kosovës dhe mbi të gjitha me zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, fillimisht vizituam familjen Bunjaku, e cila e humbi anëtarin e familjes së saj, por në të njëjtën kohë, Kosova fitoi shumë më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit, paqe e siguri. Prandaj, rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, ishte një rënie, e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, se kemi të bëmë me një shtet, i cili i del zot vetvetes dhe, i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit. 

Tash, të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës.

Me këtë rast, dua të theksoj edhe guximin e dyfishtë të Afrim Bunjakut: Në njërën anë, ai mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit dhe këtë e bëri si një polic me përvojë, i cili ishte edhe instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Shërbeu në stacionet e policisë në Mitrovicë dhe në Vushtrri; ishte polic 22 vjet, prej të cilave 16 vjet me gradën Rreshter dhe tash e ka gradën, Hero i Kosovës, e vetmja gradë, e cila s’i merret dot as atij dhe as të gjithë të tjerëve të cilët e kanë këtë gradë, sikurse edhe zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymeri.

Por, dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut dhe ky është fakti që ai nuk lejoi, që policët e tjerë, që ishin më të rinj se ai, t’ia mësyjnë bllokadës, e cila ishte vendosur aty në rrugë nga kamionët e grupit terrorist paramilitar të Serbisë, të udhëhequr nga Radojçiqi. Pra, ai si një polic me përvojë, të rinjtë nuk i la që të sakrifikohen, të vetmohohen, të flijohen para tij. Guximi i tij u pasua edhe me guximin e Alban Rashitit, i cili mbeti aty i plagosur, por sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë, ashtu sikurse edhe shteti i Kosovës, si dhe të Mirsad Kryeziut, i cili nën breshërinë e plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Bajnska e Zveçanit. 

Ne tash i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radojçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksander Vuçiq. Aktakuza i përfshinë 45 persona. Këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre.

Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim.

Aty u vranë tre terroristë, tre terroristë sot janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë, me ndihmën e shteteve demokratike, që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in, edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe do të marrin dënimin meritor.

Lavdi Afrim Bunjakut, të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës dhe dëshmorëve të kombit tonë në përgjithësi!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit