spot_img
Friday, July 18, 2025
spot_img

Kriza ekonomike turke po vë në pikëpyetje planet e Erdoganit

Tarkan Özbudak ndihet i trishtuar. Për pjesën më të madhe të jetës, e ka siguruar jetesën në Pazarin e Madh të Stambollit. Por tani, i ulur jashtë dyqanit të tij me produktet qeramike cilësore të Iznikut, ai ankohet se biznesi është në prag të falimentimit.

“Të gjithë po vuajnë. Kompanitë e vetme që fitojnë para janë ato të mëdhatë”, thotë 55-vjeçari, duke treguar me gisht dyqanet e tjera të pazarit mbi 500-vjeçar. Gjithsesi, edhe bizneset e mëdha të Turqisë nuk po ia kalojnë më mirë. Sipas Dhomës së Industrisë së Stambollit, gati 1/3 e 500 bizneseve më të mëdha turke pësuan humbje vitin e kaluar.

Papunësia po rritet në nivel kombëtar. Falimentimet po shtohen. Bizneset kanë paralajmëruar për rritje të vështirësive në të gjithë sektorët. Shpresën e kanë humbur edhe disa nga profesionistët e shëndetit mendor. “Mund të emigroj. Klientët e mi të zakonshëm, s’kanë më mundësi të përballojnë seancat e rregullta, dhe unë nuk kam mundësi të paguaj qiranë”, thotë Gülsüme Oğuz, psikologe klinike.

Përfundimi është i qartë: Ekonomia e Turqisë, që dikur parashikohej të përsëriste suksesin transformues të Koresë së Jugut, po ecën me ritme të dobëta. Arsyeja kryesore është një program stabilizimi, i vënë në zbatim gati 2 vjet më parë nga Ministri i Financave Mehmet Şimşek, një ish-bankier në Merrill Lynch.

Misioni i tij ka qenë nxjerrja e ekonomisë turke 1.3 trilion dollarëshe nga pragu i hiperinflacionit dhe nga një krize e bilancit të pagesave, e shkaktuar kryesisht nga politikat ekstreme të normave të ulëta interesit, të favorizuara më herët nga vetë presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Deri në shkurt të këtij viti, qasja e re dukej sikur po funksiononte. Inflacioni gati u përgjysmua në 40 për qind, nga 75 për qind që ishte një vit më parë. Ndërkaq, po forcohej statura e Erdogan në skenën ndërkombëtare.

Ai po lavdërohej nga presidenti i ri i SHBA-së Trump, dhe po joshej nga Evropa për ta përdorur fuqinë ushtarake të Turqisë, me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, si një mburojë kundër revanshizmit rus dhe paqëndrueshmërisë së Lindjes së Mesme.

Por më pas ndërhyri sërish politika e brendshme. Arrestimi më 19 mars nën akuzat për korrupsion i rivalit më të madh politik të Erdoganit, kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe kandidatit presidencial të opozitës, Ekrem İmamoğlu, shkaktoi protesta të mëdha në rrugë, dhe një panik financiar që e detyroi Bankën Qendrore të rriste sërish normat e interesit dhe të harxhonte rezervat valutore për të stabilizuar monedhën.

Tani vendi po përballet me pasojat e hidhura të atij episodi. Kompanitë e huaja, i kanë rishqyrtuar planet e investimeve. Investitorët aktualë po mendojnë të largohen. Masat e ashpra të nevojshme për të stabilizuar tregjet dhe për ta mbajtur inflacionin të ulët, e kanë penguar rimëkëmbjen ekonomike, duke zgjatur krizën e kostos së jetesës në Turqi.

Lufta 12-ditore e Izraelit kundër Iranit, e cila shkaktoi frikën e një fluksi masiv refugjatësh nga fqinji i Turqisë, ishte vetëm kujtesa e fundit e brishtësisë së rajonit. Rënia ekonomike e Turqisë, e ka rrudhur ndjeshëm mbështetjen popullore të Erdogan, duke rrezikuar planet e tij për të mbetur në pushtet, aspiratat e tij gjeopolitike për vendin, si dhe bisedimet e vazhdueshme të paqes me militantët kurdë që kanë qenë për më shumë se 40 vjet në luftë me shtetin turk.

Sipas shumicës së sondazheve, Erdogan do të humbiste lehtësisht ndaj Imamoglu nëse zgjedhjet – aktualisht të planifikuara për vitin 2028 – do të mbaheshin nesër. Ndërkohë, kohët e vështira ekonomike, kanë nxitur vazhdimisht zërat se Erdogan mund të braktisë programin e reformave, dhe madje të shkarkojë si ministrin Şimşek, ashtu edhe guvernatorin e ri të bankës qendrore, Fatih Karahan, një ish-ekonomist i Rezervës Federale të Nju Jorkut.

Nëse do të ndodhë kjo, ekonomistët thonë se tregjet turke do të zhyteshin në krizë. “Shumë njerëz nuk mendojnë se politika e brendshme turke është shumë interesante. Në thelb, ata mendojnë se Erdogan fiton gjithmonë, opozita humbet, dhe ndërkohë po ndodhin shumë gjëra të ndërlikuara” – thotë Selim Koru, analist në organizatën kërkimore Tepav me seli në Ankara dhe autor i librit “Turqia e Re dhe e djathta ekstreme” .

“Por nëse kjo është qasja juaj, atëherë në një moment të caktuar do mbeteni të habitur”- thekson ai. Gati 1000 kompani turke kanë shpallur falimentimin në 5 muajt e parë të këtij viti, ose thuajse dyfishi i normës së vitit të kaluar. GlobalSourcePartners, një firmë konsulence, thekson se kjo është vetëm një pjesë e vogël e më shumë se 2 milionë kompanive të regjistruara në Turqi.

Megjithatë, më e keqja mund të vijë së shpejti, duke pasur parasysh se normat reale të interesit janë jashtëzakonisht të larta, 20 për qind, dhe gati 1 në 5 kompanive turke janë në një gjendje “kome”, duke kërkuar lehtësira fiskale, kredi të lira ose ndonjë ndihmë tjetër financiare për të mbijetuar.

Mbiçmimi i kursit real të këmbimit, i nxitur nga inflacioni dhe që e tejkalon normën e zhvlerësimit të lirës, ​​vetëm sa e ka thelluar krizën. Vizitorët në Stamboll, tronditen se sa i shtrenjtë është ky qytet. Çmimet në restorante dhe në shërbime të tjera janë të ngjashme me ato në Paris, Londër ose Nju Jork.

Politika e fortë e kursit të këmbimit, ka dëmtuar sidomos eksportuesit, veçanërisht në sektorin e tekstilit, që punëson gati 1 milion punëtorë dhe përbën 10 për qind të eksporteve vjetore të Turqisë prej 360 miliardë dollarësh.

Turqia nuk është më “e përshtatshme për prodhime tekstilesh me kosto të ulët”, paralajmëroi muajin e kaluar Ahmet Kileci, kreu i një federate të eksportuesve të tekstileve dhe turqve, duke shtuar se vendet e BE-së si Bullgaria dhe Polonia kanë tani kosto pune më të ulët se Turqia.

Ndërkohë, goditjet politike ka prekur edhe biznesin. Edhe para arrestimit të İmamoğlu, dy drejtues të lartë të shoqatës më të madhe të biznesit në Turqi, TÜSİAD, u arrestuan për “shpërndarje publike të informacionit të rremë”, pasi kritikuan politikat ekonomike të qeverisë.

“Ne mund të jetojmë me inflacionin e lartë, por pengesa jonë më e madhe për të investuar është mungesa e sundimit të ligjit. Nëse nuk je plotësisht i lidhur me qeverinë, ata mund të ndjekin penalisht dhe burgosin”, thotë një drejtues biznesi, i cili nuk pranoi të identifikohej nga frika e hakmarrjes.

Edhe disa biznese të huaja, janë duke i rishqyrtuar planet e tyre të investimeve. E gjitha kjo krijon një perspektivë të zymtë ekonomike. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 45 për qind e votuesve që mbështesin Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, besojnë se ekonomia po ecën “keq” ose “shumë keq” ndërsa mbi gjysma e të gjithë të anketuarve turq, mendojnë se ekonomia po përkeqësohet.

Në shumë aspekte, përvoja e Turqisë nën drejtimin e Erdogan, pasqyron atë të ekonomive të tjera të mëdha në zhvillim të këtij shekulli, siç është Brazili. Të dy vendet kishin udhëheqës karizmatikë, popullariteti i të cilëve vinte pjesërisht nga një bum ndërtimi i nxitur nga kreditimi, i cili pakësoi varfërinë dhe uli pabarazinë – por që tani e ka mbaruar ciklin e vet.

Ashtu si Brazili, Turqia ka një pozicion strategjik për t’u pasur zili. Ajo ka një bazë të larmishme prodhimi, banka të kapitalizuara mirë dhe një sektor sipërmarrës dinamik. Şimşek pretendon se perspektiva e bisedimeve të suksesshme të paqes me Partinë militante të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), mund ta çlirojë shtetin turk nga një konflikt që ai thotë se i ka kushtuar vendit rreth 1.8 trilion dollarë, përfshirë mundësitë e humbura dhe fitimet ekonomike.

Rindërtimi i Sirisë, është një tjetër perspektivë fitimprurëse që kompanitë turke të ndërtimit po e ndjekin. Popullsia relativisht e re e Turqisë, mund të jetë një ndihmë për rritjen në të ardhmen. Por për ta realizuar plotësisht këtë vizion, ekonomistët thonë se duhet të shkohet përtej stabilizimit aktual makroekonomik dhe të ndërmerren reforma strukturore të vështira.

Për shembull vitin e kaluar, Turqia tërhoqi investime të huaja sa vetëm 1 për qind të PBB-së, më pak se vendet me të ardhura të mesme të krahasueshme si Bullgaria, Rumania, Kazakistani, Meksika apo Kili. Një mënyrë për të tërhequr më shumë, thonë drejtuesit e biznesit, është përmirësimi i sundimit të ligjit.

Por kjo është sfidë në një vend që vitin e kaluar u rendit i 117-ti nga 142 vende sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, midis Rusisë dhe Nigerisë. Madje Turqia ka lëvizur në drejtim të kundërt: gjatë dekadës së fundit, ajo ka rënë me 37 vende. Rreziqet politike dhe ekonomike me të cilat përballet Erdogani po rriten.

Kohët e vështira ekonomike në vend, po i ndërlikojnë aleancat politike tashmë të vështira që i nevojiten Erdoganit nëse ai kandidon, siç presin shumë njerëz, për një mandat të tretë presidencial përtej dy mandateve në pushtet që lejohen aktualisht nga kushtetuta.

Ai po zhvillon bisedime paqeje me PKK-në, por këto janë dëmtuar nga goditja e opozitës, pasi ajo ka nxitur mosbesim midis votuesve potencialë kurdë, që i duhen për t’u rizgjedhur. Opozita po organizon ende me sukses tubime masive në të gjithë vendin, ndërsa votuesit e rinj janë gjithnjë e më të zhgënjyer me qeverinë. “Financial Times”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit