Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë nga burgu i Hagës për Blendi Fevziun, ku ka folur edhe për raportet e Kosovës me perëndimin.
Sipas Thaçit, perëndimi ka bërë gjithçka që mund të bëhej për Kosovën.
“Perëndimi sot po e trajton Kosovën si shtet fëmijënor, jo për nga mosha, por nga papjekuria vepruese. Ndërsa nga kundërshtarët e pavarësisë po proklamohet si krijesë e dështuar. Besimi perëndimor mund të rikthehet vetëm me veprime të përgjegjshme. Duhet të punojmë dhe prodhojmë paqe. Perëndimi bëri gjithçka që mund të bëhej për Kosovën. Bëri më shumë se për çdo popull në botë në dekadat e fundit. Uroj që vendimmarrësit të mos marrin thua në tepih. Jemi tepër të vegjël për të bërë gabime të mëdha. Jo rrallë individë apo grupe njerëzish kudo nëpër botë, kur duket se po u veniten shpresat për jetë më të mirë apo ndryshime, thonë: “I kemi punët” apo “I kemi institucionet që i meritojmë”. Ky nuk duhet të jetë justifikimi. Sepse është thënë dhe dëshmuar edhe në vende dhe tek popujt e tjerë, për çka jam i bindur plotësisht se edhe qytetarët kosovarë kanë qenë dhe janë më të mirë dhe vlejnë më shumë se çdo qeveri apo i zgjedhur i tyre. (Të mos keqkuptohem, kjo vlen edhe për kohën kur edhe unë kam qenë kryeministër – para 12 vitesh.) Edhe sot jam krenar me Kosovën, por jo me fytyrën e saj në botë. Nuk është në harmoni me shpirtin e pastër dhe të bukur të qytetarëve të saj.” u shpreh Thaçi.









