Ish-deputetja britanike Ann Widdecombe dyshohet se u sulmua brutalisht brenda banesës së saj, ku sipas prokurorisë u godit 21 herë në kokë me çekan, ndërsa ishte duke ngrënë drekë.
Rasti u bë publik gjatë një seance në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, ku prokurori Kashif Malik deklaroi se i dyshuari për vrasjen, Joshua Kerry, 28-vjeçar nga South Yorkshire, kishte mbërritur në shtëpinë e Widdecombe më 8 korrik me një veturë të kuqe të tipit Vauxhall Corsa.
Sipas prokurorisë, Kerry hyri në banesë përmes derës kryesore dhe qëndroi aty rreth dy minuta, i veshur me doreza të zeza. Ai dyshohet se e sulmoi Widdecombe në kuzhinë, duke e rrëzuar nga karrigia dhe duke e goditur disa herë me çekan në kokë.
Pas sulmit, ai dyshohet se i mori portofolin viktimës dhe u largua nga vendi i ngjarjes me automjet, raporton BBC.
Prokuroria e përshkroi rastin në Gjykatën Old Bailey si një akt të kryer me “egërsi të jashtëzakonshme dhune”.
Ngjarja u zbulua pasi Widdecombe nuk u paraqit në një intervistë online të planifikuar për emisionin “Matt Allwright Show” në Channel 5, më 8 korrik, pak para orës 13:00.
Pas tentimeve të pasuksesshme për ta kontaktuar, stafi i emisionit njoftoi asistenten e saj personale, e cila kërkoi nga kopshtari i saj të kontrollonte banesën.
Të nesërmen, më 9 korrik, kopshtari hyri në shtëpi përmes derës kryesore, e cila ishte lënë e hapur, dhe e gjeti ish-deputeten të shtrirë në dyshemenë e kuzhinës me plagë të rënda në kokë.
Joshua Kerry është lënë në paraburgim dhe pritet të përballet me procedurat e mëtejshme gjyqësore, ndërsa autoritetet britanike po vazhdojnë hetimet për rastin.









