Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi tha se grupi multietnik synon që sa më shpejt, në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve, të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja të vendit.
“Grupi multietnik, i cili përbëhet nga 8 ose 9 deputetë, është i gatshëm dhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojmë drejt formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo garanton një numër të mjaftueshëm votash për formimin e Qeverisë së re”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të proceseve të kaluara zgjedhore, duke shtuar se qytetarët presin nga partitë politike që sa më shpejt të mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet një qeveri e re, një Kuvend funksional dhe zgjidhje për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë në përputhje me vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota.








