Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar udhëzimet për qytetarët lidhur me mënyrën e plotësimit të fletëvotimit në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, votuesit duhet të sigurohen fillimisht që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, përpara se të vazhdojnë me procesin e votimit.
Në anën e majtë të fletëvotimit, qytetarët duhet të shënjojnë vetëm një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë mund të përzgjedhin deri në dhjetë kandidatë nga subjekti i zgjedhur.
Pas plotësimit, fletëvotimi duhet të paloset dhe të vendoset në kutinë e votimit.
KQZ ka bërë thirrje që qytetarët të ndjekin me kujdes udhëzimet për të siguruar një proces të rregullt dhe të saktë zgjedhor.










