Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim që shefi ekzekutiv i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, të shpallet person “non grata” në Republikën e Kosovës.
Sveçla ka bërë të ditur përmes një vendimi të publikuar në rrjetin social “Facebook” se masa ndaj Luçiqit është ndërmarrë pas deklaratave të tij publike, të cilat, sipas ministrit, cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se ndaj drejtuesit të Telekomit të Serbisë është vendosur ndalim i përhershëm i hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Kosovës.
“Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës”.
Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka përfunduar ai.








