Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka ngritur dyshime konspiracioniste se ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë mund të ndikojnë në Gjykatën Kushtetuese, në kohën kur kjo e fundit pas ankesës së VV’së po shqyrton ligjshmërinë e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Rrustemi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ i luti sot ambasadorët e vendeve mike që “të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese” me vizita e takime dhe, siç pretendoi ai, ndërhyrje.
“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë deklaratë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar ambasadën e SHBA’së në Kosovë për koment, mirëpo të njëjtit kanë thënë se s’e komentojnë si çështje.
“S’mund të ofrojmë asgjë lidhur me kërkesën tuaj”, kanë thënë nga ambasada shkurtimisht për Insajderin.
Këtë deklaratë s’e komentoi as ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot.
“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit. Dhe të mos kesh një koment, është një koment”, tha sot ai.
Gazeta Insajderi për të njëjtën çështje ka pyetur edhe ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, të cilët kanë thënë se qëndrimet e tyne janë me komentet e ambasadorit francez.
“E vetmja gjë që do të komentojmë është se pajtohemi plotësisht me komentin e ambasadorit francez për këtë çështje”, thanë nga kjo ambasadë për Insajderin.
Deklarata e deputetit të LVV’së u bë në kohën kur Gjykata Kushtetuese po e shqyrton kushtetutshmërinë e dekretetit të Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi që ky institucion nuk arriti ta zgjidhë çështjen e presidentit përbrenda afatit kohor kushtetues.
Deklarata e Rrustemit mori mbështetje nga njerëz të VV’së. Këshilltari i Arben Vitisë, Egzon Azemi, tha se i bashkangjitet ftesës së bërë në drejtim të ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë. Postimi po ashtu u shpërnda edhe nga këshilltari i Albin Kurtit, Elvis Hoxha.

Selman Sokoli, asamblist komunal i LVV’së në Komunën e Prizrenit, ka thënë se s’i takon fare ambasadorëve të “ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese”.
“Nëse nuk duhet ndërhyrë në punën e Gjykatës Kushtetuese, këtë aq më pak duhet ta bëjë një ambasador, kushdo qoftë ai”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
“Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u tha në vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme.








