Kryediplomati në detyrë, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.
Zelensky e bëri deklaratën gjatë vizitës së tij në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ai tha se Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë dhe se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.
Pas këtyre deklaratave, Konjufca ka reaguar përmes një postimi në platformën “X”, duke shprehur keqardhje për qëndrimin e presidentit ukrainas.
“Ne e pranojmë me keqardhje deklaratën e presidentit Zelensky në Beograd, ku ai rikonfirmoi mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka thënë se Kosova, që nga dita e parë e agresionit të plotë rus ndaj Ukrainës, ka qenë pa mëdyshje në krah të popullit ukrainas.
Sipas tij, Kosova e ka dënuar pushtimin rus, është përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarë ukrainas, si dhe ka kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.
“Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial është çështje parimi”, ka deklaruar Konjufca.
Kryediplomati kosovar ka vënë në pah edhe dallimin mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket qëndrimit ndaj luftës në Ukrainë. Ai ka thënë se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Konjufca ka rikujtuar më pas procesin që çoi në pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se ajo nuk ishte rezultat i aneksimit, pushtimit apo pushtimit territorial, por i një procesi ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe negociatave të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për statusin përfundimtar.
Ai ka përmendur edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës përfundoi në vitin 2012.
“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi në vitin 1999 pas viteve të represionit sistematik dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar ai.
Konjufca ka kundërshtuar gjithashtu çdo paralele mes Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, duke thënë se përpjekjet e Moskës për ta përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin dhe aneksimin e territoreve të Ukrainës janë “historikisht dhe juridikisht të rreme”.
Në fund, ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, por ka refuzuar që Republika e Kosovës të trajtohet përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.
“Do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që Ukraina po i mbron sot”, ka përfunduar Konjufca.








