Trupi i gjetur disa ditë më parë në Cërrunjë i përket Eglant Koçit. Megjithëse grupi hetimor ishte i bindur se kufoma i përkiste 34-vjeçarit, i cili rezultonte i zhdukur që prej datës 4 qershor, konfirmimi përfundimtar ka ardhur nga analizat e ADN-së.
Sipas Top Channel, identifikimi ishte mbështetur edhe nga disa elementë të tjerë, si shenja e një operacioni, numri i këmbës 40 dhe rrobat e zeza që mbante trupi, të njëjtat me të cilat Eglant Koçi është parë për herë të fundit.
Tashmë pritet që familja të tërheqë trupin nga morgu i Tiranës.
Trupi i 34-vjeçarit u gjet në gjendje dekompozimi, pas dy javësh kërkime intensive nga forcat e policisë, të mbështetura edhe nga forcat e sigurisë së Kosovës, si dhe me përdorimin e dronëve.
Autoritetet dyshojnë se Eglant Koçi është vrarë nga miku i tij, Armando Shakaj, i cili prej disa javësh rezulton në kërkim.








