Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë zhvillimit të punimeve në një objekt banesor.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 22 qershor, rreth orës 08:00, në rrugën “Ismail Qemali”, në Arbanë të Prizrenit, në objektin banesor “Swiss”, ku punimet po kryheshin nga kompania “Dili Comerc”.
Burimet bëjnë të ditur se viktima Valmir Morina, 25-vjeçar, ishte duke punuar në betonimin e pllakës së objektit, kur dyshohet se është goditur nga auto-betoniera.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë procesit të punës, nga mikseri i betonit ishte shkëputur një gyp, i cili dyshohet se e kishte goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Ndërkaq, pas daljes së hetuesve në vendin e ngjarjes, dyshohet se i dyshuari A.G., person përgjegjës për auto-betonierën, nuk e kishte siguruar mjetin në mënyrë adekuate gjatë procesit të punës.
Si pasojë, auto-betoniera dyshohet se ka humbur kontrollin në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme ka goditur viktimën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe hetimore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar si “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.








