Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka komentuar një video të shpërndarë në rrjete sociale të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës, të cilët shihen duke qeshur në seancën e jashtëzakonshme të ftuar për trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Musliu ka thënë se e qeshura e tyre tregon, siç u shpreh ajo, fytyrën e vërtetë të pushtetit përballë përgjegjësive institucionale karshi këtyre fenomeneve.
“Kjo ka qenë thjeshtë fytyra e pushtetit dje përballë një tragjedie që ka ndodh në Kosovë, e që fatkeqësisht dhuna në familje ka filluar të bëhet normë. Unë s’kisha dasht me e komentu hiç se çdo koment i imi në këtë drejtim kam frikë se të ndjerës kemi me i hy në hak. E thashë edhe një herë, nuk do të doja në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë që kjo tragjedi të përdoret për poena politikë. Është stërkomentu kjo, kjo është fytyra e përgjegjësisë së pushtetit”, deklaroi Musliu.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 26 tetor pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, miratoi me 67 vota për një rezolutë që parasheh masa për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe rritjen e përgjegjësisë institucionale. Deputetët votuan edhe për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Zekajt.
Rezoluta parasheh, ndër të tjera, rishqyrtimin e rasteve me rrezikshmëri të lartë, forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave, krijimin e një qendre për gratë dhe fëmijët e prekur nga dhuna, si dhe masa për parandalimin e dhunës në baza gjinore.








