(Populli në aksion.)
…
PROLOG:
Sipas opozitës,
kushdo që i merr 100 euro ndihmë
nga qeveria Kurti,
është viktimë
e “trafikut emocional”.
(Ama,
viktimë vullnetare.)
…
Opozita:
“Albin Kurti po i blen votat,
duke ua dhënë pensionistëve,
studentëve,
lehonave
dhe punëtorëve të sektorit privat
nga 100 euro.”
Mirëpo,
duke dashur ta ofendojnë Albin Kurtin
si “blerës votash”,
pa e kuptuar,
po i ofendojnë vetë përfituesit –
sepse,
sipas kësaj logjike,
pensionistët,
lehonat,
studentët
dhe punëtorët
paskan “dalë në shitje”.
E
nuk mund të blesh diçka
që nuk ka dalë në treg.
Domethënë:
Pensionisti me 140 euro pension
qenka “mercenar elektoral”.
Lehona –
“baroneshë e shtesave familjare”.
Studenti –
“spekulant i bursës”.
Punëtori i sektorit privat –
“magnat i turnit të natës”.
Kjo është ajo gracka klasike
ku opozita bie gjithmonë:
duke e sulmuar ndihmën,
e sulmon popullin.
Sepse,
çfarëdo argumenti filozofik,
moral,
ekonomik
apo astronomik
që të shpikësh kundër ndihmës,
prapë humb.
Ndihma nuk gjykohet kurrë.
S’ka ndihmë “imorale”.
Askush s’ka dëgjuar askënd
ta refuzojë 100-shen duke thënë:
“Jo, faleminderit.
Dua të vuaj me integritet estetik.”
Me fjalë të tjera:
Albin Kurti po i “blen”
votat
që opozita i humbi falas.
Dhe kjo është pjesa më tragjikomike.
Sepse,
ata që kanë ditur
të blejnë vila,
banesa,
diploma,
televizione,
portale,
analistë,
deputetë,
prokurorë,
këngëtarë dasmash
dhe gjysmën e Kosovës –
tash po çuditen
si qenka e mundur
të “blihet” populli
me 100 euro.
…
Në vend se të ankohen,
duhet të marrin mësim.
Le të japin edhe ata.
Le të hyjnë në garë.
Kush po jep më shumë?
Kush po e “blen” popullin më shtrenjtë?
Njëri shporet.
Tjetri rrymë falas.
Tjetri pushime në Ulqin.
Tjetri nga një pastërm për Vitin e Ri.
Të paktën
ta ndiejë populli
që është hapur
panairi elektoral pranveror.
E,
mes gjithë këtij morali publik,
besoj –
më mirë “i blerë”
se sa i vjedhur.
…
EPILOG:
Të gjithë duhet ta ndjekin shembullin e Kurtit:
herë pas here
ta subvencionojnë
lumturinë kolektive.
Ani pse,
për korrektësi,
ky po i gëzon
edhe ata që janë tashmë të gëzuar.
Si i varfri,
si i pasuri –
për Kurtin,
njësoj.
Nuk e di
si quhet ky sistem.
Komunizëm emocional?
Kapitalizëm me bakshish?
Socialdemokraci festive?
Apo:
“Ora e sevapit” shtetëror.
…
P.S.
Këta të LDK-së –
si Halili e Hajria:
me kostumografi
të marrë hua
nga fondusi i shfaqjeve
për demonstratat e vitit ‘81.
Edhe kur protestojnë,
duken sikur do të recitojnë:
“Shokë,
armiku na ka rrethuar!”
…
AUTOKRITIKË:
Kur fillon të zbehet dashuria,
ia skuq pak faqet me dhurata.
Ose:
Kur s’ka fjalë që të bindin,
dhurata
ta korrupton pak imagjinatën.
Dhe
mirë bën.
…
© Kimete Berisha.
Të drejtat autoriale të rezervuara.









