Autobote të mbushura 90% me ujë në vend të naftës, aktakuzë ndaj 12 personave – dyshohet se dëmtuan shtetin mbi 4.6 milionë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar kriminale përmes importimit të derivateve të naftës nga Shqipëria në Kosovë, duke i shkaktuar dyshohet se buxhetit të shtetit dëm prej mbi 4.6 milionë eurosh.

Aktakuza është dorëzuar më 20 tetor 2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe përfshin veprat penale të krimit të organizuar, mashtrimit, shmangies nga tatimi, shpëlarjes së parave, armëmbajtjes pa autorizim, falsifikimit të parasë dhe përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ky rast lidhet me operacionin e madh policor të 1 korrikut 2026, kur Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Administratën Tatimore, zhvilloi kontrolle në 21 lokacione.

Sinjali kishte publikuar ekskluzivisht emrat e personave të dyshuar në atë operacion, ndër të cilët ishin Gazmend Quni, Skender Kelmendi, Faruk Mazrek, Naser Morina, Korab Visoka, Dashnim Miftari, Muhamet Mazrek, Fatmir Visoka, Adem Morina, Feriz Mazrek dhe Nysret Bajraktari.

Megjithatë, Prokuroria Speciale në njoftimin e sotëm ka publikuar vetëm inicialet e 12 të pandehurve, prandaj mbetet për t’u konfirmuar lista e plotë e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza.

Si funksiononte skema e dyshuar?
Sipas aktakuzës, nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim përmes një skeme mashtrimi që përfshinte importimin e naftës, modifikimin e autoboteve dhe përdorimin e faturave fiktive.

Prokuroria pretendon se derivatet bliheshin nga një kompani në Shqipëri, ndërsa gjatë transportimit drejt Kosovës autobotet zëvendësoheshin me mjete të modifikuara, të cilat mbusheshin me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit.

Ndërkohë, nafta e vërtetë dyshohet se mbetej në Shqipëri për t’u shitur, kurse në Kosovë deklaroheshin sasi të derivateve që nuk përputheshin me përmbajtjen reale të mjeteve transportuese.

Përmes kësaj skeme dhe deklarimeve të pasakta tatimore, sipas Prokurorisë, buxheti i Kosovës është dëmtuar për 4,637,893.69 euro.

Autobotet dyshohet se modifikoheshin në Han të Elezit
Sipas aktakuzës, njëri nga të pandehurit dyshohet se ka organizuar transportimin e autoboteve drejt një punëtorie në Han të Elezit, ku kryheshin ndërhyrje në ndarjet e brendshme, tubacionet dhe sistemet e shkarkimit.

Modifikimet dyshohet se mundësonin transportimin dhe deklarimin e ngarkesave në mënyrë që të shmangeshin kontrollet doganore.

Përveç kësaj, disa prej të pandehurve dyshohet se kanë përdorur biznese të ndryshme për lëshimin dhe pranimin e faturave fiktive, duke deklaruar blerje dhe shitje të derivateve që pretendohet se nuk kishin ndodhur.

Në aksionin e korrikut u sekuestruan autobote, armë dhe para
Gjatë operacionit të 1 korrikut, autoritetet kishin njoftuar për sekuestrimin e rreth 15 mijë eurove, pesë veturave, pesë autoboteve për transport të derivateve, dy armëve të zjarrit, 54 fishekëve dhe dokumentacionit të ndryshëm.

Po ashtu, ishin gjetur edhe 301 euro në monedha dy-euroshe, të dyshuara si të falsifikuara.

Tashmë, pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzën ndaj 12 personave, ndërsa çështja pritet të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit