Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme nga Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas Zyrës për Informim Publik të KFOR-it, ky proces po bëhet në kuadër të optimizimit të pozicionimit të trupave të misionit dhe pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
KFOR-i ka thënë se procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe të bazuar në kushte, ndërsa do të koordinohet me të gjithë aktorët relevantë.
“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me drejtuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
KFOR-i ka sqaruar se ndryshimi i pranisë në Urën e Ibrit është pjesë e procesit të rregullimit të pozicionimit të misionit, në përputhje me zhvillimet në situatën e sigurisë.








