Kërkimet për varreza masive të dyshuara në Zubin Potok po vazhdojnë edhe sot, disa ditë pasi autoritetet nisën veprimet në terren në kuadër të hetimeve për krime lufte.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë vazhduar punën në terren, ndërsa sot kanë operuar në lokacionin e tretë.
Sipas njoftimit, hetuesit e rastit kanë informuar prokuroren Florije Salihu-Shamolli lidhur me gjetjet dhe rezultatet e deritanishme të kërkimeve.
“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”, thuhet më tej.








