Alicia Kearns, deputetja konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, ka kërkuar nga parlamenti britanik të fokusohet në Ballkanin Perëndimor.
Ky reagim i saj erdhi pas masave që Serbia i shpalli si reagim ndaj veprimeve të Kosovës në Veri.
Aja ka thënë se Vuçiq po e përdor taktikën e Vladimir Putinit duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës, ndërsa ka shprehur shqetësimin e saj se si BE edhe një vit pas sulmit në Banjskë, ende nuk ka marrë masa ndaj Serbisë.
“Pas deklaratave të mbrëmshme të Presidentit Vuçiq, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan”.
“Gati një vit pas sulmit në Banjskë ende nuk ka drejtësi, dhe pavarësisht përfshirjes së shtetit serb, ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë). Vuçiq po ndjek strategjinë e Putinit, duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova është një shtet sovran”.
“Ballkani duhet të largohet nga pikëpamjet sektare, njerëzit e Kosovës së Veriut dhe serbët e Kosovës meritojnë më shumë, jo të përdoren si pengje dhe gurë shahu në ambiciet irredentiste”, ka shkruar ajo në X, të shtunën.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të premten kërkoi që në pjesën veriore të Kosovës të kthehet “gjendja e mëparshme” duke kërkuar kthimin e policëve në detyrë, të gjyqtarëve e prokurorëve, pagesat me dinarë, lirimin e “të burgosurve politikë” siç i quajti ai serbët e burgosur për shkak të dhunës në Veri kur atje ishin vendosur barrikada.
Ai po ashtu kërkoi themelimin urgjent të Asociacionit, pa të cilin tha se s’ka bisedime.









