Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i të ndjerës Arlinda Zekaj, pritet të dalë të enjten, më 12 nëntor, para gjykatës lidhur me akuzën për kanosje ndaj saj.
Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet me dyer të mbyllura, çka nënkupton se publiku dhe përfaqësuesit e mediave nuk do të mund ta përcjellin drejtpërdrejt zhvillimin e saj.
Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur më 26 tetor 2026 aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale “Kanosja”, lidhur me veprimet e dyshuara ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Rasti lidhet me ngjarjet që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Për vrasjen e saj është arrestuar Albert Sylaj, kunati i viktimës, i cili dyshohet për kryerjen e krimit.
Vrasja e Arlindës ka ngritur shqetësime serioze për trajtimin institucional të denoncimeve të mëhershme të saj, ndërsa rasti ka nxitur edhe veprime disiplinore ndaj zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë dhe Policisë.
Seanca e së enjtes pritet të trajtojë përgjegjësinë penale të Jeton Sylajt për veprën e kanosjes, ndërsa procedura për vrasjen e Arlindës është çështje e veçantë penale.









