Ekonomisti dhe aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn ka bërë të ditur synimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Austrisë në vitin 2028, ndërsa në kuadër të fushatës së tij ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë.
Përmes një postimi në platformën X, Fehlinger-Jahn deklaroi se, nëse do të zgjidhej president i Austrisë, do të angazhohej për kthimin në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës që i atribuohen heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
“Si President i Austrisë, do të zotohesha të kthej helmetën dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar Mbretin Skënderbe”, ka shkruar ai.
Mesazhi i tij është regjistruar pranë dhomës ku ruhen këto objekte në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë.
Fehlinger-Jahn njihet për angazhimin e tij në çështjet e zgjerimit të NATO-s dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.








