Clint Williamson, ish-kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetimore, ka kundërshtuar karakterizimin se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë krijuar për të gjykuar UÇK-në si organizatë.
Në një intervistë për BIRN, Williamson tha se gjykata është krijuar për të shqyrtuar përgjegjësinë individuale të personave që kishin role udhëheqëse në UÇK.
“Para së gjithash, unë do ta kontestoja paksa karakterizimin që bëtë se kjo gjykatë ishte e drejtuar kundër UÇK-së. Ajo nuk ishte e drejtuar kundër UÇK-së”, tha Williamson.
Sipas tij, aktakuzat dhe aktgjykimi nuk përbëjnë një gjykim ndaj UÇK-së si organizatë.
“Kjo po shqyrtonte fajësinë individuale të personave që kishin role udhëheqëse në UÇK”, tha ai.
Williamson shtoi se edhe gjatë hetimit të tij në vitin 2014, disa prej dëshmitarëve ishin luftëtarë të UÇK-së, të cilët, sipas tij, besonin në kauzën e saj, por pretendonin se ishin tradhtuar nga disa prej udhëheqësve.
Ai tha gjithashtu se Dhomat e Specializuara nuk ishin krijuar për të gjykuar çdo krim të kryer në Kosovë, por për të plotësuar një boshllëk që, sipas tij, kishte mbetur në ndjekjen penale të disa figurave udhëheqëse.








