I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Jozefin Marku, ish-banori i edicionit të katërt të “Big Brother VIP”. Ai ka zbuluar shumë detaje për karrierën e tij muzikore, projektet që po vijnë, jetën personale dhe më shumë.
Në fillim të intervistës, Ronaldo e pyeti Jozin për arsye se pse ai ka zgjedhur të ketë dalje publike të pakta, dhe ai u përgjigj duke thënë:
“I seleksionoj daljet e mia. Pjesa ime artistike është shumë e ngarkuar, shumë projekte dhe mjaft evente sa i përket këndimit dhe jam i angazhuar shumë vetëm në muzikë.”.
Ronaldo më pas theksoi se gjatë kohës në “Big Brother VIP”, publiku arriti ta njohë Jozin për talentin e tij në muzikë, pasi shpeshherë ai këndonte në shtëpi dhe videot që i publikonte në rrjetet sociale shpesh bëheshin virale.
Pas përfundimit të qëndrimit në BBV, Ronaldo e pyeti nëse i janë hapur më shumë mundësi dhe angazhime në muzikë.
Jozefin u shpreh: “’Big Brother VIP’ ishte një mundësi e shkëlqyer që m’u dha. Publiku e ka kuptuar këtë gjë, sidomos kur je 24/24 aty pa filtra, pa efekte. Fatmirësisht kanë dalë ato vlerat e mia dhe e vlerësoj shumë ‘Big’-n që ka vlerësuar drejtë gjithçka që ka ndodhur, veçanërisht në pjesën e muzikës. Normal që ka ndikuar shumë në pjesën e punës dhe kërkesave.”.
Kur Ronaldo e pyeti pse vendosi të futej në “Big Brother VIP”, Jozefin e shpjegoi: “Është një mundësi shumë e artë, sidomos për artistët që duan të arrijnë sukses dhe të provojnë që mund t’ia dalin. ‘Big Brother VIP’ është një mundësi e shkëlqyer për t’i shpalosur vlerat e tua. Nuk mundesh në asnjë lloj emisioni tjetër ta bësh këtë si në BBV.”.








