Mbrëmjen e djeshme, reperi i njohur Stresi ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Për ty babë”, i cili vjen i shoqëruar me një videoklip mjaft emocionues. Këtë herë, ai ka lënë mënjanë tematikat e rrugës për të sjellë një dedikim thellësisht personal dhe të ndierë për babain e tij.
Në vargjet e këngës, Stresi i këndon dashurisë së pamasë dhe lidhjes së ngushtë që ka me të atin, duke kujtuar rrugëtimin e tij si djalë, këshillat e vyera që ka marrë ndër vite dhe sakrificat e panumërta. Pa ngurruar aspak, reperi e ka cilësuar figurën e babait si heroin e tij të vërtetë.
Por, në mes të gjithë këtij emocioni dhe komenteve pozitive nga fansat, ajo që nuk mund t’i shpëtonte syrit ishte një reagim shumë i veçantë. Bëhet fjalë pikërisht për ish-partneren e reperit, Kejsin. Ajo ka dëshmuar edhe një herë se, pavarësisht përfundimit të martesës së tyre, ata ruajnë një raport të mirë dhe mbështetja nuk mungon në momente kaq kuptimplota.
Përmes një postimi në Instastory, Kejsi ka ndarë linkun e këngës së re të Stresit, duke e shoqëruar me një mesazh ku tregoi se ishte mjaft e emocionuar nga ky dedikim. “Si një vajzë babai, kjo të prek,” ka shkruar ajo, duke treguar se e ka ndjerë thellë mesazhin e këngës.
Megjithatë, ajo nuk e ka humbur sensin e humorit, duke shtuar një batutë tjetër sipër videos: “Po rri o ked se si i bie tani me bë tatuazh nga krahu tjetër”, një koment ngacmues që tregon sportivitetin dhe miqësinë që dyshja vazhdon të ruajë pas ndarjes.










