Kombëtarja e Anglisë humbi 2:1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror. Anglia kaloi në epërsi në fillim të pjesës së dytë falë golit të Anthony Gordon, por më pas u tërhoq dhe në fund pësoi dy gola nga Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez.
BBC: Festimi josportiv i argjentinasve zemëroi anglezët
“Pamë shumë pak respekt sot dhe ky ishte ndoshta shembulli më i keq në këtë Kupë të Botës”, tha Paul Robinson për BBC, duke komentuar festimin e një lojtari argjentinas para futbollistëve anglezë.
Ai theksoi se skena të tilla i hodhën hije një ndeshjeje që ishte tashmë e mbushur me tension dhe emocione të mëdha.
Sky Sports: Tuchel ia dhuroi ndeshjen Argjentinës
“Një trajner tjetër u tërhoq shumë herët në një qasje tepër defensive dhe u ndëshkua për këtë”, shkruan një nga komentet e Sky Sports.
Tifozët kritikuan ashpër Thomas Tuchelin, duke pretenduar se ai “ia dha ndeshjen Argjentinës me taktikat e tij të dobëta” dhe lejoi Lionel Messin me shokët e tij të dominonin në gjysmën e fushës së Anglisë.
“Ta heqësh Rice dhe menjëherë të pësosh gol? Rastësi?
Nuk do të thosha”, shkruhej në një nga komentet.
Një tjetër përfundonte: “Çfarë momenti i marrë për t’u tërhequr”.
Tifozët bënë krahasime me turnetë e mëparshme dhe shtuan se asgjë nuk ka ndryshuar:
“Shënojmë të parët dhe pastaj tërhiqemi.
Kjo nuk funksionon prej një dekade”.
The Sun: Messi shkatërroi ëndrrën angleze
“Në fund, nuk ishte e shkruar”, shkruan The Sun.
Sipas tyre, Anglinë e rrëzoi “ndoshta lojtari më i madh i të gjitha kohërave”, duke iu referuar Lionel Messit.
“Nuk do të ketë përrallë në Nju Jork për Tuchelin dhe Anglinë, as mundësi për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare”, shton tabloidi.
Ata theksojnë se mënyra e humbjes është veçanërisht e dhimbshme, pasi Anglia ishte në avantazh deri në minutat e fundit, ndërsa tani mbetet pyetja se si do të rikuperohet skuadra psikologjikisht për ndeshjen për vendin e tretë.
Daily Mail: Rrëzim brutal i Anglisë në gjysmëfinale
“Shkatërruese, thjesht shkatërruese”, shkruan Daily Mail.
Ata bëjnë krahasime me dështimet e mëparshme dhe theksojnë se Anglia sërish dështoi në gjysmëfinale, si në vitet 1990 dhe 2018.
“Nuk ka lavdi si në vitin 1966, pritja vazhdon”, shtojnë ata.
Sipas gazetës, te tifozët anglezë ndihen zemërimi dhe zhgënjimi, me akuza se skuadra “u thye nën presion”.
Ata kritikojnë edhe mënyrën se si Anglia lejoi Argjentinën të merrte kontrollin e lojës:
“Mënyra se si i lejuan të sulmonin e ndryshoi plotësisht ndeshjen.”
Independent: Edhe një zemër e thyer angleze
“Argjentina edhe një herë bëri rikthimin në momentet e fundit dhe siguroi finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës”, shkruan Independent.
Ata theksojnë se Anglia sërish mbeti me zemër të thyer në gjysmëfinale, pavarësisht se u dha tifozëve arsye për të festuar gjatë ndeshjes.
“Kjo thjesht nuk ishte e mjaftueshme kundër skuadrës më të mirë në botë për momentin”, përfundon Independent.








