Është zbardhur dëshmia e plotë e modeles Kejvina Kthjella, e cila ka treguar në polici se sasinë prej 8 mijë euro, ja ka dhënë në mirëbesim dhe ruajtje, shoqes së lagjes me të cilën pinte kafe, Anela Osmani.
Sipas modeles, dhënia e eurove është bërë pasi ajo do largohej nga shtëpia dhe do shkonte në Lezhë. Por për shkak të frikës se këtë sasi lekësh ja merrte pastruesja e shtëpisë, ka vendosur tia besojë pikërisht shoqes së saj.
Në rrëfimin e saj të dhënë në ambientet e komisariatit nr.3 në Tiranë, Kejvina Kthjella ka treguar se në 18 Prill 2026 do të largohej për disa ditë në qytetin e Lezhës tek familjarët e saj dhe ka qenë ulur në kafe me Anela Osmanin, duke diskutuar për pjesën e ikjes së saj në Lezhë dhe se në shtëpinë e saj do të vinte pastruesja për të pastruar dhe kishte merak për lekët që kishte në shtëpi.
Kejvina, sqaron se Anela i është vetë ofruar që t’ia mbajë ajo lekët dhe t’ia ruajë derisa të kthehet në shtëpi në kasafortën e saj ato ishin 8000 euro të cilat Kejvina, thotë se ishin kursimet e saj të mbledhura në vite.
Modelja Kejvina Kthjella, ka treguar në polici se Anela, ka qënë në dijeni të lekëve që ajo ka patur pasi i ka treguar se ka dëshirë që këto para ti investojë në një biznes të vogël.
I ka dhënë lekët e saj tek kafja poshtë shtëpisë ku ato kanë qënë ulur dhe është larguar. Me datë 20 Prill 2026, Kejvina, është kthyer në Tiranë dhe i ka kërkuar Anela Osmanit, paratë e saj por shton se ajo i ka gjetur justifikime duke i thënë se e ka kapur ankthi dhe se ka bllokuar kodin e kasafortës.
Me datë 22 Prill 2026 është takuar përsëri me të për ti kërkuar lekët dhe të hapte kasafortën madje kanë kërkuar në internet një numër të cilët hapin kasafortat dhe pasi kasaforta është hapur në të nuk është gjendur asgjë dhe paratë mungonin.
Kejvina, shton se i ka kërkuar shpjegime në lidhje me këtë gjë dhe se Anela Osmani, i ka thënë se paratë i ka futur në bankën e saj dhe se për 1 orë do ta telefonojë për të marrë lekët.
Nga data 23 prill 2026 dhe deri më 6 Maj 2026 kjo Anela Osmani, vazhdon ta mashtrojë duke i thënë që i janë bllokuar bankat dhe lekët në bankë dhe do ti gjejë tek familjarët.
Më pas i ka komunikuar se i ka ndodhur një incident dhe se i kanë vjedhur shtëpinë dhe çdo ditë ka gjetur nga një justifikim të ri. Gjendur përpara këtij fakti Kejvina Kthjella, ka paraqitur kallëzim në polici.
Nga ana e policisë gjyqësore është bërë arrestimi në flagrancë i Anela Osmanit. Gjatë marrjes në pyetje ajo ka sqaruar se:
“…Kejvina ja ka dhënë disa para, të cilat ishin të vendosura në një çantë dhe ja ka lënë t’ia ruajë në kasafortën e saj, pasi ajo do të shkonte disa ditë në Lezhë tek familjarët e saj dhe kishte frikë ti linte në shtëpi. Ajo i ka marrë çantën e ka hapur dhe ka parë që ishin para të prerjeve 100 euro por nuk i ka numëruar sa lek ishin. E ka pyetur sa është shuma dhe i ka thënë që janë 8 mijë euro pasi 2 mijë i ka marrë me vete dhe e ka besuar. I ka futur në kasafortë për ti ruajtur…”.
Sipas Anela Osmanit, sasinë e eurove e ka marrë nga Kevina në datën 18 Prill. Por pas disa ditësh Anela sqaron se ka patur një problem në punë, ka qenë e stresuar dhe gjithashtu i ka ndodhur një problem shëndetësor.
“…kur Kejvina, është kthyer për të marrë paratë me 22 Prill 2026, i ka thënë se ka patur një problem shëndetësor dhe për këtë arsye ka përdorur lekët e saj pasi llogaria që ka ajo për momentin është bllokuar dhe nuk ka mundur të tërheqë para nga llogaria e saj. Për arsye se iu deshën në mënyrë të shpejtë ka përdorur paratë e saj dhe i ka thënë se do të ti kthej por të lutem më lër pak kohë sapo të zhbllokohet banka. Ajo deklaron se me Kejvinën njihet prej rreth një muaji dhe se e ka njohur në lagje pasi banojnë të dyja në të njëjtin vend dhe janë njohur duke pirë kafe tek lagja dhe kanë krijuar një marrëdhënie shoqërore…”- ka deklaruar në polici Anela Osmani.
Më tej kjo e fundit ka pohuar se të gjitha paratë që i ka marrë do t’ia kthejë brenda një muaji dhe do të verë në dijeni policinë, për çdo veprim që do të kryej deri në momentin që do t’ia likuidoje të gjitha.









