Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra në një atentat të mirëorganizuar më 15 mars të 2024, në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.
Ndaj Bejtjas u qëllua me breshëri automatike, duke mos i dhënë asnjë mundësi që të shpëtonte, apo t’i jepej ndohma e parë.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe Armida Bejtjan, bashkëshorten e viktimës, e cila ka qenë dëshmitare e ngjarjes bashkë me fëmijët.
Madje ajo ka deklaruar se një nga autorët i ka mbajtur të bllokuar atë dhe fëmijët dhe dy të tjerët kanë kryer vrasjen e bashkëshortit të saj, Gentian Bejtja.
Armida Bejtja, bashkëshortja e viktimës: “Jam e martuar prej disa vitesh me Gentian Bejten dhe kemi tre fëmijë. Me 15 mars 2024, rreth orës 16:00, së bashku me bashkëshortin kemi dalë nga banesa e vjehrrit dhe kemi shkuar në banesën tonë, që ndodhet vetëm disa metra larg. Me vete kemi pasur edhe dy fëmijët.
Gjatë kohës që bashkëshorti ka qenë duke ujitur disa perime që kishte kultivuar në një serë pranë banesës, kam vënë re se kanë hyrë tre persona të armatosur.
Njëri prej tyre më ka mbajtur të bllokuar mua dhe fëmijët, ndërsa dy personat e tjerë kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të bashkëshortit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.”
Në lidhje me autorët e ngjarjes ajo jep një përshkrim të përgjithshëm por nuk mund të identifikojë asnjërin prej tyre. Gjithashtu, Armida Bejtja nuk ka ngritur dyshime apo të ketë sqaruar për ndonjë konflikt të bashkëshortit të saj.









