Një biznesmen është kërcënuar me armë zjarri dhe është dhunuar nga disa persona mesditën e së enjtes në Vlorë.
Sipas Policisë, të dyshuarit i kanë vendosur atij një gjobë prej pesë milionë eurosh, duke e kërcënuar se duhet të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Pas denoncimit, policia ngriti pika kontrolli në disa zona për kapjen e personave të dyshuar. Gjatë operacionit, drejtuesi i një automjeti “Range Rover” nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe, gjatë ndjekjes, doli nga rruga në zonën e Urës së Peshkëpisë.
Brenda automjetit u gjetën një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë, ndërsa dy personat që ndodheshin në të mbetën të lënduar.
Policia ndaloi më pas edhe një automjet tjetër të dyshuar, në të cilin u gjetën tre fishekë pistolete, raporton TVKlan.
Në përfundim të aksionit, pesë persona u arrestuan, ndërsa gjashtë të tjerë u shpallën në kërkim. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Fjala e plotë e drejtorit të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu
Përshëndetje!
Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.
Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.
Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.
Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi L.M, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit K.LL dhe M.Ll, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F.
Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit L.M dhe M.Ll janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar B.H.
Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi L.M, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit V.B, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi A.B ka shkuar te automjeti i shtetasit V. B dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– L.M, 55 vjeç, banues në Tiranë;
– K.Ll, 29 vjeç, banues në Tiranë;
– M.Ll, 33 vjeç, banues në Tiranë;
– B.H, 40 vjeç, shtetas kosovar;
– A.B, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.








