Hektor Avdyli, nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, është personi që u ekstradua nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kërkohej nga autoritetet amerikane nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.
Ekstradimi i tij është realizuar më 19 nëntor 2026, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas Policisë, Avdyli kërkohej përmes një urdhërarresti ndërkombëtar dhe, pas përfundimit të procedurave përkatëse, iu dorëzua njësisë amerikane U.S. Marshals në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht më 15 korrik të këtij viti për arrestimin e Hektor Avdylit në Prizren, në kuadër të një operacioni të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Gjatë aksionit, me urdhër të gjykatës ishte bastisur shtëpia e tij dhe objektet përcjellëse, në kërkim të provave që mund të ndërlidheshin me hetimin ndërkombëtar. Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali në atë kohë, ishin kontrolluar dhe sekuestruar pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona të mençur dhe media digjitale.
Ndërkaq, një ditë më vonë, Policia e Kosovës konfirmoi raportimin e Sinjalit, duke bërë të ditur se i dyshuari dyshohej se kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat dyshohet se i kishte vënë në dispozicion në platforma të caktuara online për qëllime keqpërdorimi.
Pas arrestimit, Avdyli ishte ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa rasti kishte vazhduar në procedurë hetimore.
Tashmë, pas disa muajsh nga arrestimi në Prizren, ai është ekstraduar në SHBA, ku do të përballet me procedurat e drejtësisë amerikane lidhur me dyshimet për veprimtari kriminale në fushën e krimeve kibernetike.









