Haziri: Gjuha e Listës Serbe ishte e papranueshme, por u përdor si pretekst për ndërprerjen e seancës

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku nuk u votuan nënkryetarët e propozuar nga LDK-ja dhe PDK-ja.

Haziri ka kritikuar deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, duke e cilësuar gjuhën e përdorur prej tij si të papranueshme.

Megjithatë, ai ka thënë se kjo situatë mund të jetë përdorur si arsye për ndërprerjen e seancës dhe kalimin në pauzë.

“Fjalori ka qenë i papranueshëm dhe reagimi ka qenë edhe i deputetëve, jo vetëm i kryetares Albulena Haxhiu. U përdor më pas edhe ky mekanizëm politik, duke thënë ‘hajde në pauzë’, për ta tejkaluar këtë situatë dhe për të zhvilluar takim me shefat e grupeve parlamentare. Nuk është gjetur bashkëpunim për të vazhduar më tutje. Unë mendoj se më shumë ka qenë pretekst sesa diçka tjetër”, deklaroi Haziri.

Sipas tij, në Kuvend duhet të respektohen rregullat dhe kodi i sjelljes, pasi bëhet fjalë për institucionin që bart sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Sovranitetin e Republikës, në kuptimin fizik dhe kushtetues, e ka vetëm një institucion në Kosovë, që është Kuvendi i Kosovës. Brenda asaj salle ka kode të sjelljes, kode të veshjes, kode të deklarimeve, sepse nuk guxon të dilet jashtë mënyrës së përcaktuar”, tha ai.

Haziri është pyetur edhe për mundësinë që LDK-ja të tërheqë kandidaturën e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit.

Ai ka mohuar se partia po shqyrton një mundësi të tillë, duke thënë se kandidaturat e LDK-së bëhen pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe nuk tërhiqen për shkak të presioneve politike.

“Nuk kemi pasur rast në asnjë situatë politike që ne duhet t’i bëjmë kompromis kandidaturat, sepse nuk janë emra për t’u bërë kompromis”, u shpreh Haziri.

Ai ka vlerësuar se marrëveshjet politike mund të bëhen për çështje të përfaqësimit apo mënyrës së funksionimit të institucioneve, por jo për të drejtën kushtetuese të një partie për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit.

“Nuk është drejt kjo që po ndodh. Normalisht, për të bërë marrëveshje politike, merresh vesh edhe për përfaqësim, edhe për format dhe gjithçka tjetër. Por kjo është çështje që i takon si e drejtë kushtetuese LDK-së. Në këtë rast, LDK-së i takon nënkryetari dhe është votim formal në këtë vend”, tha Haziri.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit