Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, e ka quajtur “më shumë se tradhti kombëtare” atë për të cilën pretendon ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, se kryeministri Albin Kurti ia dha për hatër të tij 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.
Haradinaj është shprehur kështu shkurt me anë të një postimi në ‘Facebook’.
“Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”, ka deklaruar Haradinaj.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për një medium serb deklaroi ndër të tjera se kryeministri Albin Kurti kinse i kishte thënë se dhënia e tokës së Manastirit të Deçanit po bëhet për hatër të tij.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, u citua duke thënë Rashiq.









