Gjykata Themelore në Pejë, ka marrë aktvendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj të pandehurit Jetmir Jusufi nga fshati Bokshiq i Klinës.
Masa e paraburgimit do t’i vazhdohet nga data 19 gusht 2026 deri më 19 tetor 2026.
I pandehuri po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet ndaj tij kanë filluar më 22 mars 2026, ditë kur i ishte caktuar paraburgimi i parë prej 30 ditësh. Kjo masë u vazhdua më pas edhe gjatë muajve prill dhe qershor.
Vazhdimi i masës është caktuar pasi ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë te familjarët e tij që ishin prezentë në vendin e ngjarjes.
Ndikimi te dëshmitarët do të bëhej me qëllim të ndryshimit të deklaratave të tyre në polici apo prokurori.
Gjithashtu, prania e tij në liri do të mund të pengonte rrjedhën normale të procedurës penale dhe sigurimin e provave të tjera, sipas gjykatës.
Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën e rëndë të veprës penale si dhe dënimin e lartë që mund t’i shqiptohet atij në rast të shpalljes fajtor.
Procedura hetimore mbetet e ndërlikuar për shkak se organet e drejtësisë ende nuk i kanë pranuar raportet përfundimtare të ekspertizave.
Në pritje janë raportet për autopsinë e trupit të viktimës dhe ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit.
Po ashtu, priten edhe rezultatet e ekzaminimit balistik të armëve të konfiskuara dhe gjurmëve të barotit.
Prokuroria vlerësoi se masat alternative janë të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë së tij.
Vazhdimi i paraburgimit u konsiderua i domosdoshëm për t’i dhënë epilogun përfundimtar këtij rasti.
Ngjarja tragjike ndodhi më 21 mars 2026 në oborrin e shtëpisë familjare në fshati Bokshiq të Klinës. I dyshuari Jetmir Jusufi, ish-futbollist i KF Dukagjinit, u arrestua nën dyshimin se ka privuar nga jeta vëllain e tij 49-vjeçar, Faruk Jusufin.
Incidenti dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje verbale dhe fjalosjeje për motive familjare e çështje pronësie, teksa viktima po punonte në oborrin e shtëpisë. Gjatë përplasjes, viktima kishte tentuar ta shmangte të vëllanë me mjetin me të cilin po punonte.
Sipas dosjes hetimore, pas kësaj fjalosjeje, i dyshuari kishte hyrë brenda shtëpisë, kishte marrë një armë zjarri dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të të vëllait. I plagosuri u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, mirëpo nuk u mbijetoi dot plagëve të rënda.
Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes sekuestroi armën e zjarrit dhe tri gëzhoja, ndërsa i dyshuari Jetmir Jusufi u vu menjëherë në pranga.








