Gjuriq futet në paranoja pas reagimit të kryediplomatit shqiptar për lumin Ibër: S’ka vend për Shqipërinë e Madhe

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar pas reagimit të kryediplomatit të Shqipërisë, Ferit Hoxhës, i cili tha se shteti shqiptar e mori me shqetësim deklaratën e Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Gjuriq me anë të një postimi në platformën ‘X’ u shpreh me ironi duke thënë se lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri dhe se vendimi i Tiranës zyrtare për t’u përfshirë në këtë çështje është i motivuar politikisht.

“Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri, dhe as Shqipëria nuk është një shtet bregdetar brenda pellgut të saj. Prandaj, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale ose hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare. Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, duke shpërfillur presionin sistematik kundër popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, në mënyrë të pashmangshme ngre pyetje rreth motiveve politike pas ndërhyrjes së saj. Gjithashtu, kjo ringjall shqetësime legjitime në lidhje me konceptet e njohura rajonale që kërkojnë ta trajtojnë territorin serb dhe burimet serbe si pjesë të një sfere më të gjerë politike shqiptare”, deklaroi ai.

Gjuriq u frikësua edhe nga projekti i Shqipërisë së Madhe, për të cilin tha se s’ka vend në rajon.

“Le të jem i qartë gjithashtu: nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe – ose për ndonjë projekt tjetër të bazuar në ekspansionizëm etnik dhe rivizatim të kufijve – në të ardhmen evropiane të rajonit tonë”, deklaroi ai.

Çka tha kryediplomati shqiptar?

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka shprehur “shqetësim të thellë” për deklaratën e Vuçiqit dhe për përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Hoxha ka theksuar se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme.

“Pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, e drejta ndërkombëtare përcakton parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të parandaluar dëmet ndërkufitare, për të shkëmbyer informacione dhe për t’u konsultuar për masat që mund të kenë pasoja për shtetet tjera.

Hoxha ka rikujtuar se Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010 dhe se ka pranuar mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë”, ka thënë ai.

Sipas ministrit shqiptar, çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet në mënyrë transparente, mbi bazën e të dhënave shkencore dhe pas një vlerësimi të plotë të ndikimit ndërkufitar, si dhe përmes konsultimit me palën e prekur.

“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, ka deklaruar Hoxha.

Shqipëria, ka shtuar ai, mbështet të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.

Reagimi i Tiranës vjen pasi Vuçiq ka folur për mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër, duke deklaruar se Serbia po shqyrton këtë çështje përmes institucioneve dhe ekspertëve të saj. Lumi Ibër buron në Mal të Zi, kalon nëpër Kosovë dhe vazhdon drejt Serbisë, duke e bërë menaxhimin e tij çështje me karakter ndërkufitar.

Hoxha ka bërë thirrje që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, e jo përmes “kërcënimeve apo ndërhyrjeve dhe veprimeve të njëanshme”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit