Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë, ku ka treguar se si është zhvilluar diskutimi brenda Aleancës lidhur me vendimin për të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit. Gjithashtu ai tha se për çështjen e presidentit ka përfunduar gjithçka.
Gjini tha se në mesin e deputetëve nuk ka pasur asnjë kundërshtim ndaj këtij qëndrimi, ndërsa vetëm një anëtar i Kryesisë ka pasur mendim ndryshe.
“Asnjë prej deputetëve nuk ka qenë kundër. Një anëtar i Kryesisë e ka ndarë mendimin ndryshe, një prej anëtarëve prezentë, vetëm një. E vlerësojmë si proces të vullnetit tani, korrekt për këtë tema”, tha ai.
Ai tha se, sipas bindjes së tij, Kuvendi mund të konstituohet edhe nesër, por një veprim i tillë do të ishte jashtë normës kushtetuese.
Megjithatë, Gjini tha se edhe nëse Kuvendi konstituohet, kjo do të ndodhte në kundërshtim me Kushtetutën.
“E, sikur të konstituohet nesër, do të jetë jashtë normës kushtetuese, është jashtë kushtetuese. Por besoj unë se jo këto maskarallëqe që i kemi parë më herët, edhe mo nuk befasohem, nëse edhe nesër, edhe në këtë situatë jashtë kushtetuese, nuk konstituohet Kuvendi.”
I pyetur nëse Aleanca do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, Gjini tha se kjo është rruga që duhet ndjekur.
“Kosova nuk ka qysh me ecë përpara nëse partitë politike nuk i referohen Gjykatës Kushtetuese. Edhe përgjigjja është: po, tashmë herët, do të koordonoheni me parti të tjera deri tash opozitare, edhe do t’i referohen Gjykatës Kushtetuese, patjetër. Duhet me e parë normal që edhe materiali duhet me qenë serioz dhe duhet të ketë një punë të mirë”, u shpreh ai.
Gjini u pyet edhe për takimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me partitë politike lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe për deklaratat e tij se nuk mund të përfshihen në programin qeverisës pika të partive që nuk kanë fituar zgjedhjet.
Ai tha se, sa i përket zgjedhjes së presidentit, për Aleancën tashmë ka përfunduar gjithçka.
“Fillimisht duhet me u thënë që ka përfunduar gjithçka edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Fatkeqësisht, vetë Kurti e ka sjellë Kosovën në këtë ditë që çfarëdo që merret vendim sot, është jashtëligjshëm edhe jashtë kushtetues, fatkeqësisht”, theksoi ai.
Gjini tha se në këto rrethana nuk ka më logjikë të flitet për oferta apo kushte, ndërsa Kurtit, sipas tij, duhet t’i kujtohen parimet bazë të demokracisë.
“Çështja tjetër është edhe pse nuk ka logjikë me folur për rrethana, për kushte, për oferta, duhet me u thënë diçka është një ABC demokratike me ja tregu zotit Kurti”, tha ai.
Ai theksoi se partitë politike garojnë me programe të ndryshme dhe se, kur një parti nuk i siguron votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, duhet të negociojë me subjektet e tjera.








