Një akt fisnik dhe frymëzues ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Vushtrri. Merhumja Zehra Hoxha ka dhuruar 15 ari tokë si vakëf për Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, vetëm pak kohë para se të ndërronte jetë.
Sipas postimit të kryetarit të KBI-Vushtrri, Ejup Haziri, ky gjest u finalizua më 16 korrik 2025, në prani të noterit dhe familjarëve. Pas nënshkrimit të dokumenteve, Zehra Hoxha shprehu një fjalë prekëse që dëshmonte vendosmërinë dhe besimin e saj:
“Elhamdulilah që u bo, tash edhe me vdek smë jet zhig për asgjë.”
Pavarësisht pengesave procedurale gjatë bartjes së pronës, ajo këmbënguli që dhurimi të përfundonte sa më shpejt, sikur të ndiente se koha e saj ishte e kufizuar. Vetëm dy muaj më pas, Zehra Hoxha ndërroi jetë, duke lënë pas një amanet të çmuar dhe një shembull që tregon se dhurata më e madhe është ajo që i shërben komunitetit dhe mbetet si dritë e përjetshme.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri ka shprehur mirënjohje të thellë për këtë gjest madhështor, duke u lutur që Allahu ta mëshirojë dhe xhenneti të jetë vendbanimi i saj. ![]()









