Mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve janë gjetur gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve (nxjerrjes së trupaave ose mbetjeve mortore nga varri) në një lokacion në Zubin Potok.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë gjetur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, identifikimi i plotë i tyre do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave të tjera përkatëse.
Në kuadër të këtij rasti, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale.
Aktualisht, për këtë rast janë duke u hetuar tre persona, me inicialet J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë deklaruar se janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.
Institucionet kanë bërë të ditur se çdo zhvillim i ri lidhur me rastin do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesat e hetimit.








