Eurodeputeti belg, Michel De Maegd, ka ngritur zasinë e kritikave në Bruksel, duke dënuar ashpër interpretimin e një kënge nacionaliste serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, gjatë ceremonisë hapëse të Forumit të parë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në ballafaqim me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, eurodeputeti kërkoi që BE-ja të mos e relativizojë të kaluarën dhe të kërkojë falje zyrtare për këtë skandal. Duke u bazuar në përvojën e tij si reporter lufte në Kosovë më 1999, ai kujtoi krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Gjatë vitit 1999, si reporter lufte, kam kaluar tre muaj me popullin e Kosovës. Kam jetuar me ta dhe kam përjetuar represionin e egër të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Lufta, mbi 14 mijë të vrarë në Kosovë. Viktima të pafajshme. Pastrimi etnik, me 850 mijë kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre në atë kohë…”, ka deklaruar De Maegd, duke shtuar se ky ishte një rishkrim i paturpshëm i historisë dhe një “shuplakë e re” për kosovarët.
Nga ana e saj, komisionarja Marta Kos ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin, duke sqaruar se organizatorët kishin dhënë udhëzime të përgjithshme pa miratuar secilën këngë veç e veç, ndërsa konfirmoi se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës për t’i shprehur pendesën.
“E kuptoj që kjo ka ndodhur dhe më vjen thellësisht keq. Kosova meriton të gjithë mbështetjen tonë dhe do ta ketë atë”, ka theksuar Kos, duke shtuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor pa Kosovën është i paimagjinueshëm.









