Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se rruga magjistrale që kalon nëpër qytet do t’i jepet në menaxhim Komunës së Vushtrrisë.
Sipas tij, kjo do të mundësojë ridizajnimin e saj, ndërtimin e rrethrrotullimeve të reja dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset lokale.
Idrizi ka bërë të ditur se në këtë aks rrugor do të ndërtohen tre rrethrrotullime moderne, të cilat do të rrisin sigurinë, do të përmirësojnë qarkullimin dhe do të sjellin më shumë rregull në lëvizjen brenda qytetit.
Ai ka theksuar se komuna do të kujdeset për mirëmbajtjen verore e dimërore të kësaj rruge, si dhe për ndriçimin publik, në mënyrë që çdo pjesë e qytetit të jetë më e ndriçuar dhe më e sigurt.
Ky projekt, siç thekson Idrizi, është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një Vushtrrie më funksionale, më të organizuar dhe më mikpritëse për të gjithë qytetarët.









